Libri i ri, Mustafa Nano: Pse shqiptarët u bënë njësh me fenë islame


Mustafa-Nano

Islamizimi i shqiptarëve ka qenë pjesë e një historie të përgjithshme, por në të njëjtën kohë ka qenë edhe një histori më vete. Ajo që i dallon shqiptarët është se ata iu nënshtruan një islamizimi masiv, që përbën bëmën më të bujshme e më të madhe të tyre në këtë botë. Asnjë ngjarje, luftë, personalitet, epokë, legjendë, krijim apo akt tjetër kolektiv nuk ka përcaktuar kaq sa kjo në historinë e tyre.

Duke u bërë myslimanë, shqiptarët i bënë një këputje historisë së vet, i bënë një ndryshim deri edhe tharmit të tyre identitar. Ky efekt, ç’është e vërteta, do të vinte edhe thjesht prej osmanizimit të gjatë, siç ndodhi edhe me popujt ballkanas që mbetën të krishterë, por islamizimi i vuri kapakun kësaj dukurie dhe bëri të pazhbëshme, së pari, natyrën multifetare të kombit të tyre, së dyti, një si tëhuajëzim të tyre ndaj Europës.

Që prej gjysmës së parë të shekullit XIX e këtej, kanë qenë të shumtë të huajt, por edhe shqiptarët që kanë pritur, e kanë parashikuar, që largimi i osmanëve nga trojet shqiptare të sillte në mënyrë graduale e automatike çislamizimin e tyre, por kjo nuk ka ndodhur. Shqiptarët nuk u islamizuan menjëherë.

Në fillim, si kudo, u islamizuan prijësit feudalë, që në këtë mënyrë merrnin me të mirë dëshirën “për të ruajtur privilegjet e vjetra”. “Shqiptarët nën sundimin turk duket se ia kanë dalë të ruajnë një lloj gjysmë autonomie, ndërsa disa tribú të tyret mbetën në thelb po aq autonome sa ishin para pushtimit osman; ndonëse pranuan vasalitetin ndaj Sulltanit, ata nuk toleruan ndërhyrjen e zyrtarëve osmanë në administrimin e punëve të tyre, dhe qeveria turke nuk qe kurrë në gjendje që të emëronte a konfirmonte në postin e një guvernatori province dikë që nuk ishte shqiptar”.

Kështu ndodhi pra që “krerët e familjeve fisnike u bënë pashallarë e bejlerë, dhe [përveç kësaj] atyre iu dha e drejta për të qeverisur qytetet më të mëdha. Shkodra, Peja, Shkupi, Janina, Prizreni etj., u sunduan nga pashallarë shqiptarë, të cilët edhe e trashëgonin tek të vetët këtë pozicion”. Ata u bënë njësh me autoritetin osman e me fenë islame, derisa erdhi një kohë që një pjesë syresh zunë të mohonin origjinën e tyre shqiptare.

“Disa bejlerë shqiptarë i mbahen mendimit se të parët e tyre kanë qenë turq osmanë që kanë shoqëruar sulltanët Bajazit I e Murat II në ekspeditat e tyre;… këtë ata e bazojnë te pretendimi që të parëve të tyre u janë dhuruar sanxhaqe apo prona të tjera nga sulltanët e përmendur, [por duhet thënë se] në nëntë nga dhjetë raste këto prona dhuroheshin si shpërblim për konvertimin në fenë islame, e jo për arsye e shërbime të tjera”. Shkurt, ishte “fisnikëria vendase që zotëronte timare, ajo që hodhi themelet e islamizmit në Shqipëri”.

Princërve shqiptarëve iu kërkua në kuadër të devshirmesë të dërgonin djemtë e tyre si pengje pranë oborrit të sulltanit, ku ata ktheheshin në myslimanë e përgatiteshin për të bërë karrierë civile apo ushtarake në hierarkinë osmane.

“Ndër pinjollët e islamizuar të familjeve feudale shqiptare të dërguar pranë oborrit të sulltanit si içoglanë ishin edhe Gjergj Kastrioti, që mori emrin mysliman Skënder, i biri i Teodor Muzakës, që mori emrin Jakup e që në fund të viteve ’30 të shekullit XV u emërua qeveritar i sanxhakut shqiptar, i vëllai i tij që mori emrin Kasëm Pasha, një nga komandantët më të shquar të Muratit II e të Mehmetit II, dy djemtë e Gjin Zenebishit etj.”. Disa fisnikë vijuan të mbeten të krishterë, edhe pse kishin në zotërim timare, por kjo histori nuk zgjati shumë.

“Në fillim të shekullit XVI ishte arritur islamizimi tërësor i klasës feudale shqiptare; përfaqësuesit më të shquar të familjeve feudale shqiptare të Arianitëve, Dukagjinëve, Muzakajve etj., … ose u larguan nga Shqipëria, ose u bënë pjesë e popullsisë së islamizuar”. Pati që ndoqën shembullin e prijësve të tyre, por duhet thënë se “një pjesë e konsiderueshme e popullsisë mbeti e krishterë deri në fillim të shekullit XVII”. Veriu i Shqipërisë është islamizuar më shpejt e më herët.

Në fillim të shekullit XVI, në qytetet kryesore të jugut (Vlorë, Gjirokastër, Berat) ende nuk rezultonte e regjistruar ndonjë familje myslimane, ndërsa në Shkodër, Pejë, Vuçiternë, Prishtinë, Tetovë islamizimi kishte nisur tanimë. Në jug, “deri rreth vitit 1550, Berati, Vlora, Gjirokastra, Kanina, Këlcyra, Delvina, Përmeti e Korça ishin gati krejt të krishtera”. Ndërsa në veri ishte një situatë tjetër.

Në fund të shekullit XVI, qyteti i Shkodrës ishte e islamizuar në masën 100%, Peja 90%, Vuçiterna 80%, Elbasani 79%, Tetova 71%, Kërçova 65,5%, Kruja 63%, Prishtina 60%, Prizreni 55,9% etj. Këto të dhëna, që me siguri janë nxjerrë nga burimet osmane, bien në kontradiktë, në fakt, me disa të dhëna të marra nga shënime të vizitorëve europianë, apo nga raporte të priftërinjve, të të dërguarve të Papës apo, pas vitit 1622, të kongregacionit “Propaganda Fide”, të cilat na bëjnë me dije se Krishterimi mbahej ende fort në Ballkanin e fundshekullit XVI e të fillimshekullit XVII.

“Në Shqipërinë e veriut në fund të shekullit XVI, vetëm 30% e popullsisë qe islamizuar”, thuhet në një relacion të gjetur në arkivin e Vatikanit e të cituar nga Fulvio Cordignano. Alessandro Comuleo, prift i një kishe të Romës, ishte i dërguar i Papës Klement VIII në Moskë, Poloni e Transilvani në vitin 1594, dhe me ç’duket nga raporti që ai ka përpiluar, e ka zgjeruar disi gjeografinë e vizitës, është ndalur edhe në Ballkan atëmot, dhe e informon Papën lidhur me numrin e të krishterëve në këtë pjesë të botës që ishin në gjendje të mbanin armë, të cilët ai me gjasë i shihte si një potencial ushtarak kundër sundimtarëve osmanë.

Nuk thotë se ku i ka gjetur këto të dhëna (me siguri, i ka pasur me të dëgjuar nga goja e vendasve), por numrat që jep të bëjnë përshtypje: 140 000 luftëtarë të krishterë në Shqipëri e në Maqedoni, 100 000 në Hercegovinë, Slloveni e Kroaci, 100 000 në Serbi, 200 000 në Bosnjë. Qoftë dhe nga zerot e shumta që ka vënë, nuk duket burim i besueshëm. E në përgjithësi, të dërguarit e Papës në rrethana e kohë të tilla nuk janë për t’u besuar. Ata kanë pasur një konflikt interesi.

Nga njëra anë, kanë pasur për detyrë të raportonin situata reale, nga ana tjetër, kanë dashur ta bënin Papën të bënte diçka në mbrojtje të katolikëve të Ballkanit, dhe “numri i madh i katolikëve të gatshëm të merrnin armët” ishte një nga sendërgjitë për ta kandisur kreun e Kishës së Romës të hidhte një hap në këtë drejtim. Një raport tjetër mbi gjendjen e të krishterëve në Shqipëri, Bosnjë e Serbi ka për autor Marino Bizzin, që përveçse ishte arqipeshkvi i Tivarit, ishte dhe një njeri i apasionuar pas udhëtimeve e vëzhgimeve. Daton në vitin 1610. Të shumtët e katolikëve i kishte gjetur mes shqiptarëve. “Nga 400 mijë banorë të Shqipërisë, 350 mijë janë katolikë”, shkruan ai në një nga 75 faqet e relacionit të vet. E megjithatë, shfaqet shumë pesimist teksa shquan një prirje në favor të Islamit: “Të gjithë janë me mendimin që, nëse të krishterëve në Shqipëri e në Serbi nuk u jepet një dorë, atëherë këtyre anëve nuk do të kemi më Krishterim pas 10 vitesh”. Kuptohet, nuk është se e ka besuar këtë që ka thënë.

Si zakonisht, ka dashur të trazojë mendjen e eprorëve të vet në Sancta Sedes, me shpresën se kështu ata do viheshin në lëvizje për të mbrojtur ndjekësit e mësimeve të Jezu Krishtit në anën tjetër të Adriatikut. Me gjasë, e njëjta taktikë për të mobilizuar mbretërit e princat e krishterë të Europës vihet re edhe në një material të gjendur në arkivat e Venedikut, që daton më 1618. Në Bullgari, Serbi, Shqipëri, raportuesit me emrin Alessandro Macedonio i kanë parë sytë një turk në çdo 100 të krishterë.

E ndërsa Bizzi parashihte një islamizim të të gjithë Ballkanit në harkun e dhjetë viteve të ardhshme, Macedonio parashihte të kundërtën. Nuk e mohonte se një pjesë ishin konvertuar në myslimanë, por shprehte bindjen se renegatët do t’i kthehen shpejt besimit te Krishti. Në fakt, raportimet e mëvonshme gjatë shekullit XVII, të krahasuara me raportimet e sapocituara, japin idenë e islamizimit të rrufeshëm.

Marino Bizzi fliste për 350 mijë shqiptarë të krishterë në vitin 1610, ndërsa don Marco Crisio e çon këtë numër në 50 mijë në vitin 1651. “Ndonëse mendja ta thotë se numrat e Bizzit janë të ekzagjeruar, e numrat e Crisio-s janë më të vegjël sesa duhet, nuk mund të fshihet, megjithatë, fakti që Krishterimi ka humbur shumë terren”. Si për të përforcuar këtë përfundim, në vitet e mëpastajme vijnë të dhëna të tjera më të sakta.

“Në hapësirën kohore të tridhjetë viteve, nga 1620 në 1650, u bënë myslimanë rreth 300 mijë shqiptarë. Më 1624 ishin rreth 2 mijë katolikë në të gjithë dioqezën e Tivarit, dhe brenda në qytet ishte veç një kishë; mirëpo, teksa shekulli po mbyllej, kjo kishë nuk shfrytëzohej më nga të krishterët; dhe kishin mbetur vetëm dy familje katolike”.

” panorama”

 

Lë koment:

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s